Organizata Studentore “Studim, Kritikë, Veprim” ka festuar 8 vjetorin e themelimit me një ndejë në Parkun e Qytetit në Prishtinë.
Por, festa e tyre nuk ka zgjatur shumë pasi njësitë policore, me një aksion kanë ndërprerë organizimin e tyre.
Policia ka kryer aksionin me pretekst se disa nga fqinjët janë ankuar për shkak të zhurmës së madhe të muzikës që kishin lëshuar gjatë këtij manifestimi.
Mësohet se disa prej aktivistëve janë arrestuar ndërsa një polic është lënduar lehtë.
Sipas njoftimeve nga dëshmitarët, policia ka vepruar vrazhdë me disa gazetarë dhe pjesmarrës në vendin e ngjarjes të cilëve gjithashtu u është kërkuar fshirja e xhirimeve gjatë ndërhyrjes.
Telegrafi ka tentuar të flasë me policinë, por nuk ka mundur të marrë përgjigje.
Ndërkaq, Organizata Studentore “Studim, Kritikë, Veprim”, përmes një postimi në Facebook, kishte ftuar të rinjtë që të marrin pjesë në 8 vjetorin e themelimit të saj, pikërisht në Parkun e Qytetit.
“Nga ora 12:00-17:00 do të jetë e hapur një ekspozitë me foto të ndryshme përgjatë shumë aktiviteteve në këto 8 vite. Ekspozita do të jetë e hapur në Kampusin e Universitetit, pranë Bibliotekës Kombëtare.
Nga ora 20:00-00:00, në Parkun e Qytetit do të mbahet një ndejë me studentë dhe të rinj.
Ndeja do të shoqërohet me muzikë live, nga
Shpend Hysaj- Vokalist
Murat Bajrami – Kitarë
Vedat Hasani- Bateri
Endrit Rexhepi – Tastierë
Përgjatë ndejës do të keni mundësi ta ndiqni edhe nje video te shkurtër rreth organizimit 8 vjeçar të SKV-së. /Telegrafi/