Telegrafi

Policia ndalon 14 emigrantë në Han të Elezit

Shtatë sirianë dhe shtatë afganë janë ndaluar nga policia e doganierët gjatë ditës së hënë, në pikën kufitare në Han të Elezit.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, të 14 shtetasit e huaj janë identifikuar nga policia brenda një kamioni me rimorkio që drejtohej nga një shofer i nacionalitetit turk i cili më pas është arrestuar, njofton Klan Kosova.

Ky rast nga forcat e rendit po cilësohet kontrabandim me emigrantë.

Hoxha për Klan Kosova ka thënë se policia është duke kryer procedurat e tjera të parapara për trajtimin e rasteve me emigrantë duke bazuar në ligjet e aplikueshme në vend.