Policia Kufitare e Shqipërisë ka rritur patrullimin me mjetet e saj lundruese në det dhe është angazhuar maksimalisht për t’i dalë në ndihmë çdo pushuesi që i rrezikohet jeta në det.
Falë ndërhyrjes së shpejtë nga Policia Kufitare dhe FNSH, u është dhënë ndihma e parë 5 shtetasve nga Shkodra dhe Kosova në grykëderdhjen e Vilunit, në lagunën e Rrjollit, të cilët rrezikuan mbytjen.
Pesë shtetasit u transportuan në qendrën spitalore, ku gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Po në të njëjtin vend u dha ndihma dhe 9 shtetasve çekë, të cilët kishin mbetur të izoluar dhe në momentin që donin të kalonin grykëderdhjen e Vilunit, jeta e tyre u vu në rrezik. Falë ndërhyrjes së policisë ata kanë dalë në breg pa asnjë problem për jetën.
Njëkohësisht edhe në Sarandë, Policia Kufitare ka shpëtuar një plazhist, i cili u rrezikua të mbytej si pasojë e dallgëve të detit.
Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë pushuesve të tregojnë kujdes maksimal pasi deti aktualisht është i trazuar dhe me dallgë të mëdha.
Policia e Shtetit sugjeron pushuesit dhe turistët që të shmangin lëvizjet me mjete lundrimi, si motor uji apo varka deri në qetësimin e detit.
Në ndihmë të Policisë Kufitare janë angazhuar maksimalisht edhe shërbimet e Policive Vendore, si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me patrullim tokësor.
Për çdo rast nevoje për ndihmë pushuesit mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e policisë do t’iu dalin në ndihmë. /bw/