Policia e Kosovës, konkretisht njësitë e antidrogës, në funksion të luftimit të dukurive negative dhe identifikimit të veprave penale, në veçanti veprave penale kundër trafikimit, posedimit dhe abuzimit me narkotik, të shtunën kanë realizuar një operacion policor në disa lokacione në rajonin e Prishtinës, në mbështetje edhe të njësive tjera operative policore.
Sipas njoftimit të Policisë, “gjatë realizimit të operacionit policor, gjatë kontrollit në një lokal në Graçanicë, ka rezultuar që në posedim të një të dyshuari mashkull kosovar serb dhe një femre/serbe shtetase e Serbisë, janë gjetur dhe konfiskuar të mbushur në thasë, sasi e dyshuar e substancës narkotike (dyshohet të jetë e llojit marihuanë, pesha e së cilës pas matjes rezulton të jetë mbi 13 kilogram-saktësisht 13 kg e 095 g), pastaj janë gjetur para që dyshohen të jenë të falsifikuara, një DVR që ka monitoruar lokalin, një sprej i syve dhe një shufër plastike”, njofton Telegrafi.
“I dyshuari mashkull K/Serb pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje, ndërsa e dyshuara femër serbe, shtetase e Serbisë pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedure të rregullt për procedurë të mëtejme”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës, thotë se mbetet e përkushtuar që me kapacitetet që ka në dispozicion, në vazhdimësi të punojë në luftimin e dukurive negative dhe veprave penale të të gjitha llojeve, me qëllim të krijimit të një ambienti më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit e në veçanti për të rinjtë tanë. /Telegrafi/