Site icon Telegrafi

Policia konfirmon vrasjen e ambasadorit grek, e dyshuar gruaja e tij

Policia braziliane konfirmoi të premten se ambasadori grek në Brazil, Qiriakos Amiridhis është vrarë dhe pastaj është djegur në makinë, ku e dyshuar për këtë vepër është gruaja e tij.

Policia e Rio de Zhaneiros ka gjetur sot trupin e pajetë brenda një makine të djegur, e cila ishte marrë me qira nga ambasadori grek në Brazil, Qiriakos Amiridhis, transmeton KP.

Lexo po ashtu Brazil, gjendet i pajetë ambasadori grek? (Video)

Edhe Ministria e Jashtme greke ka konfirmuar se trupi është i përfaqësuesit diplomatic, i cili rezultonte i zhdukur prej disa ditësh.

59-vjeçari ishte zhdukur prej tre ditësh pasi udhëtoi drejt Rios nga Brasilia për festimet tradicionale të Vitit të Ri në plazhin e Kopakabanas.

Një pjesëtar i stafit të Ambasadës ka vazhduar të shkëmbejë mesazhe me numrin e ambasadorit edhe pas zhdukjes, pa qenë i sigurt nëse ishte duke folur me shefin e tij.

Për herë të fundit ai është parë në periferinë e Rios, Nova Iguasu, ku u gjet dhe makina.

Kjo zonë famëkeqe për shkak të numrit të lartë të vrasjeve nga bandat e armatosura që e kontrollojnë terrenin është bërë shpesh arenë pengmarrjesh të ngjashme. Ambasadori e kishte marrë detyrën në fillim të vitit pasi kishte shërbyer në Libi./Telegrafi/

Exit mobile version