Site icon Telegrafi

Policia konfirmon sulmin fizik të Dardan Molliqajt ndaj Haki Abazit, pas debatit televiziv – tregon detajet

Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh e ka konfirmuar sulmin fizik të ndodhur pas një debati televiziv në Kosovë.

Ndryshe, kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi kishte raportuar se ka ndodhur një sulm ndaj tij nga kandidati i PSD-së për deputet, Dardan Molliqaj.

Dhe lidhur me këtë, përcjell Telegrafi, Policia thotë se “viktima mashkull K/Shqiptar ka raportuar se pas përfundimit të debatit i cili ishte mbajte në një televizion, në korridor të objektit të universitetit privat jashtë studios ishte sulmuar fizikisht nga dy të dyshuarit meshkuj K/Shqiptarë të cilët pas sulmit ishin larguar nga vendi i ngjarjes”.

Lexo po ashtu Abazi: Molliqaj më ka sulmuar jashtë studios

Duke treguar se një raportim i tillë ishte bërë në Fushë Kosovë, më datën 11.09.2019 në ora 22:55, policia shton se si pasojë e sulmit, viktima kishte pësuar disa lëndime të vogla dhe nuk ka pranuar të marr tretman mjekësor.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, është njoftuar prokurori me vendim e të cilit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Lexo po ashtu Molliqaj mohon përleshjen me Haki Abazin

Menjëherë pas ngjarjes Haki Abazi kishte theksuar se është sulmuar nga Dardan Molliqaj dhe shoqëruesi i tij, pas emisionit që kishin në T7, ndërsa Molliqaj kishte shkruar se asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione. /Telegrafi/

Exit mobile version