Telegrafi

Policia konfirmon për tre të vdekur në dy aksidente trafiku në Komoran

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka konfirmuar për Kosovapress se tre persona kanë humbur jetën në dy aksidente të ndryshme që kanë ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, në afërsi të Komoranit, sonte rreth orës 20.00.

“Pas pranimit te informacionit rreth orës 20:00, për një aksident trafiku në rrugën Pejë-Prishtinë në afërsi të Komoranit, njësitet policore kanë reaguar në atë lokacion. Sipas informacioneve të para nga zyrtarët policorë dyshohet se në rastin e parë një drejtues automjeti ka humbur kontrollin duke u vetaksidentuar, ndërsa po në afërsi të njëjtit vend, pak minuta më vonë, një aksident tjetër është shkaktuar ndërmjet një kamioni dhe një autoambulance”, ka thënë Hoxha.

Për më tepër, ai ka bërë të ditur se në vetaksidentin e raportuar dyshohet për dy persona të vdekur, ndërsa raportohet se edhe në automjetin e ambulancës një person ka humbur jetën.

Njësitet policore dhe të emergjencës po ndërmarrin veprimet e nevojshme në vend të ngjarjes për të identifikuar rrethanat se si kanë ndodhur të dy rastet, ndërkohë që është njoftuar edhe prokurori./Telegrafi/