Site icon Telegrafi

Policia kap 600 kilogramë drogë të ndryshme në Kroaci – arrestohet një shtetas serb dhe kroat

Ilustrim

Policia kroate kapi mbi 600 kilogramë drogë të ndryshme në një vilë në zonën e Zelinës, e cila me sa duket kriminelëve u shërbente si strehim.

Përveç drogës u gjet edhe një sasi e vogël armësh; mitralozë të shkurtër me silenciator me qindra fishekë dhe një kilogram eksploziv me fuqi të madhe shkatërruese.

Autoritetet policore kanë arrestuar dy persona, njëri prej të cilëve shtetas i Serbisë dhe tjetri i Kroacisë, raporton jutarnjilist.

Siç mësohet jozyrtarisht, pjesa më e madhe e kësaj droge, rreth 320 kilogramë është marihuanë ndërsa rreth 170 kilogramë tableta ekstazi, si dhe rreth njëqind kilogramë amfetaminë pluhur dhe bazë të lëngshme amfetamine. Droga e konfiskuar llogaritet në rreth një milion euro.

Për shkak të hetimeve nuk janë zbuluar detaje të tjera rreth këtij aksioni të madh dhe sesi policia e zbuloi vendndodhjen e drogës, pra nëse ishte një gjetje e rastësishme apo ishte operacioni i planifikuar.

Mbetet gjithashtu e panjohur nëse droga ishte tranzit apo e destinuar për tregun kroat. /Telegrafi/

Exit mobile version