Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka marrë vendim për t’ia ndaluar për një kohë të pacaktuar hyrjen në Kosovë, Marko Gjuriçit, drejtorit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Selimi ka konfirmuar përmes telefonit për Top Channel se këtë vendim e ka marrë pasi zyrtari serb është futur të premten në territorin e Kosovës në mënyrë ilegale, pasi nuk i ishte dhënë leja nga autoritetet e Prishtinës.
Ai tha se Gjuriqi kishte kërkuar leje për hyrje në Kosovë vetëm disa orë para planifikimit të vizitës, që bie në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, e cila specifikon se serbët duhet të kërkojnë leje në Prishtinë së paku 24 orë para vizitës.
Selimi tha se pas këtij vendimi, u mbetet autoriteteve të sigurisë që të veprojnë.
Top Channel ka mësuar se Policia ka marrë urdhër për arrestimin e Gjuriqit, nëse ai gjendet brenda territorit të Kosovës.