Mbrëmë derisa Lëvizja Vetëvendosje po mbante një tubim në fshatin Studençan të Therandës, disa persona e kanë sulmuar nga jashtë sallën me një përzierje lëndësh shpërthyese.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia.
“Raportohet se përderisa ishte duke u mbajtur një takim elektoral në Shkollën ” Kongresi i Manastirit”, dyshohet se është hedhur një shishe jashtë objektit e cila dyshohet të ketë qenë e mbushur me (preparate) thartinë”, thuhet në raportin e Policisë.
“Njësitet policore lidhur me rastin kane ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore si dhe kane njoftuar prokurorin kompetent”.
“Nuk raportohet për të lënduar e as dëme materiale, rasti është duke u hetuar”.
Lajmin mbrëmë e kanë bërë të ditur edhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Sot, në mbrëmjen e datës 4 qershor, disa persona janë përpjekur të prishin tubimin e VETËVENDOSJE!-s në fshatin Studençan të Therandës”.
“Pasi që s’kanë mundur ta pengojnë tubimin ata janë larguar, e më vonë salla ku mbahej tubimi është sulmuar nga jashtë me një përzierje lëndësh shpërthyese. Fatmirësisht nuk pati asnjë dëmtim njerëzor.
“Ky gjest mjeran tregon parehatinë e ish-pushtetit përballë përparimit të pandalshëm të Lëvizjes”./ KlanKosova/