Një i vdekur dhe rreth 100 të lënduar (14 nga të cilët janë në gjendje të rëndë) është bilanci tragjik, pas një shpërthimi që ka ndodhur në afërsi të aeroportit të Bolonjës.
Sipas informacioneve të shpërndara nga policia, e cila ka bashkangjitur edhe një video, aksidenti ndodhi mes një cisterne dhe disa automjeteve tjera, që shkaktuan një seri shpërthimesh zinxhirore.
Në videon e shpërndarë nga policia italiane vërehet kur një kamion me cisternë godet një mjet tjetër të rëndë dhe pason një shpërthim, pas pak momentesh vjen një tjetër shpërthim me përmasa apokaliptike.
Disa orë pas aksidentit organet e sigurisë bashkë me zjarrfikësit po punojnë për të mësuar numrin e viktimave të mundshme.
Deri tani zyrtarisht është konfirmuar vetëm një i vdekur, por nga përmasat e shpërthimit dyshimet janë se numri do të rritet.
Nga shpërthimet zinxhirore raportohet se është rrëzuar pjesërisht edhe një urë.
Sipas televizionit publik RAI, viktima është shoferi i cisternës që po bartte mjete ndezëse.
Numri i të plagosurve ka shkuar në 100, ndër të cilët janë edhe 13 policë ku dy prej tyre po drejtonin trafikun pas një aksidenti të mëhershëm që kishte ndodhur në atë vend./Telegrafi/