Telegrafi

Policia italiane në Shqipëri, të martën marrin në dorëzim Gjadrin dhe Shëngjinin

Kampi i pritjes së emigrantëve është gati që të hape dyert për të pritur të martën më datë 20 gusht kontingjentin e parë të forcave të policisë italiane që do të garantojnë sigurinë në qendrat e ngritura në Gjadër e Shëngjin.

Këtyre efektivëve të policisë ju është dorëzuar mes të tjerave edhe një listë me këshilla se si duhet të sillen në Shqipëri në përputhje me traditat e vendasve.

Në këtë zonë pritje të vendosur brenda portit të Shëngjinit në një hapësirë prej 4 mijë metrash, në Gjadër rreth 30 kilometra larg Shëngjinit do të përpunohen të gjitha kërkesat për azil. Emigrantëve të cilëve do t’u refuzohet kjo kërkesë do të riatdhesohen.

Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Në bazë të saj, në kampin e Gjadrit do të qëndrojnë jo më shumë se 3 mijë emigrantë të paligjshëm që do të kapen në ujërat ndërkombëtare.

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR), do të monitorojë tre muajt e parë të zbatimit të marrëveshjes.

Agjencia tha do të këshillojë emigrantët për të drejtën e tyre për të kërkuar azil dhe do të sigurohet që procedurat që do të përdoren të jenë “në vijë me standardet ndërkombëtare dhe rajonale për të drejtat e njeriut.

Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatet nga territori shqiptar./TV Klan