Site icon Telegrafi

Policia italiane, në kërkim të kosovarit të dyshuar për vrasjen e italianes shtatzënë

Një 41-vjeçar nga Kosova dyshohet se ka vrarë një shtetase italiane, 27-vjeçare në Treviso të Italisë. Policia italiane ka thënë se i dyshuari për vrasjen e 27-vjeçares italiane, është Bujar Fandaj, 41-vjeçar me origjinë nga Kosova.

Në deklaratë, policia ka thënë se Karabinieri është vënë në kërkim të tij.

“Bujar Fandaj, një 41-vjeçar me origjinë nga Kosova që jeton në Altivole, aktivisht është duke u kërkuar nga forcat e Karabinierit të Trevisos – të cilët, nën drejtimin e Zyrës së Prokurorit Publik lokal, po zhvillojnë hetim mbi vrasjen e Vanessa Ballan”, ka thënë policia italiane për mediat lokale, transmeton KlanKosova.

27-vjeçarja shtatzënë u gjet e vdekur, e therur disa herë me thikë, në Spineda di Riese Pio X, në provincën Treviso.

Sipas gazetës online me bazë në Napoli, “fanpage.it”, viktima dyshohet se ka pasur një lidhje me 41-vjeçarin në të kaluarën.

Lidhja e tyre veçse kishte marrë fund pasi Vanessa ishte pajtuar me bashkëshortin e saj dhe tani ishte në pritje të fëmijës së saj të dytë.

Në muajin tetor, gjithnjë sipas “fanpage”, Bujari, siç kanë konfirmuar hetuesit, ishte denoncuar nga Vanessa Ballan bashkë me bashkëshortin e saj, Nicola Scapinello, dhe për pasojë po hetohej nga forcat e rendit.

I dyshuari raportohet se është larguar nga vendi i krimit, me gjasë me një automjet të biznesit familjar të Scapinellos, ku bashkëshorti i Vanessas punonte si marangoz.

Sipas raportimeve të para, viktima thuhet se është goditur në fytyrë e më pas është therur së paku shtatë herë në gjoks. Në duart e gruas janë vërejtur disa lëndime mbrojtëse, duke konfirmuar se e njëjta ka tentuar dëshpërimisht të mbrohet.

Arma e vrasjes ende nuk është gjetur.

Exit mobile version