Policia ushtarake italiane ka gjetur një bunker të mundshëm sekret që dyshohet se përdorej nga Matteo Messina Denaro, “kumbari i fundit” i mafies siciliane, i cili u arrestua të hënën pas 30 vitesh në arrati.
Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, hyrja e bunkerit ishte fshehur në një dollap plot me rroba në një shtëpi në Campobello di Mazara, një qytet i vogël në Sicili.
Hetuesit po kërkojnë hapësirën për dokumente që ishin në posedim të Denaros, veçanërisht një “arkiv sekret” të “bosit të bosëve” të mafias siciliane Totò Riina, i cili vdiq në vitin 2017, i cili, sipas disa informatorëve të mafias, u vodh nga Denaro dhe gjoja përmban sekretet e 40 viteve të fundit të vrasjeve mafioze.
Siç thekson The Guardian, prokurorët besojnë se Denaro mban “çelësin” e disa prej krimeve më të urryera të kryera nga mafia siciliane, duke përfshirë sulmet me bomba në vitin 1992 që vranë gjykatësit antimafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino dhe vrasjen në vitin 1996 të Giuseppe Di Matteo, 12-vjeçarit, djalit të një mafiozi të kthyer në dëshmitar shtetëror, i cili u mbyt dhe u tret në acid.
Denaro u gjykua në vitin 2002 dhe u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen ose urdhërimin personal të vrasjeve të dhjetëra njerëzve.
Denaro lindi në Castelvetrano, Sicili, në vitin 1962.
Babai i tij ishte një shef i fuqishëm i Cosa Nostra-s dhe Denaro “lulëzoi” në biznesin e familjes, duke ndërtuar një perandori të paligjshme shumë miliarda euro në depozitimin e mbeturinave, sektorët e energjisë së erës dhe të shitjes me pakicë.
Siç shkruan më tej mediumi britanik, për të mbrojtur veten e tyre, bosët e mafias në Itali janë të njohur për ndërtimin e tuneleve të arratisjes nën shtëpitë e tyre, bunkerë të sofistikuar në male që mund të arrihen vetëm në këmbë dhe streha të ndryshme në pyll kur ata janë në arrati.
Sidoqoftë, funksioni dhe madhësia e strukturës në Campobello di Mazara nuk dihet ende plotësisht.
Denaro u arrestua të hënën në një klinikë mjekësore në Palermo, ku po trajtohej për një tumor.
Shtëpia, e vendosur në Via Maggiore Toselli, dyshohet se i përket një njeriu që ishte gjykuar më parë për shoqërim mafioz dhe u shpall i pafajshëm në vitin 2001. /Telegrafi/