Telegrafi

Policia ia ndalon vajzën në aeroport, Rada Trajkoviq e pyet Vuçiqin: Çfarë po të bëjnë fëmijët e mi?

Politikania serbe Rada Trajkoviq, këshilltare e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq ka reaguar pasi autoritetet policore serbe e kanë ndaluar vajzën e saj në aeroportin e Beogradit duke hyrë në Serbi.

Trajkoviq, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, i është drejtuar presidentit  serb, Aleksandar Vuçiq me pyetjen se çfarë po i bëjnë fëmijët e saj?

“Çfarë po të bëjnë fëmijët e mi Aleksandar Vuçiq? Përsëri shërbimet tuaja ndalojnë vajzën time mjeke në aeroport me të hyrë në vend. Qytetarja që respekton ligjin dhe nuk merret me politikë. Çfarë po ju bëjnë fëmijët e mi?”, ka shkruar Trajkoviq, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, vetë Rada Trajkoviq në fillim të muajit mars, brenda dy ditëve dy herë ishte ndaluar në Aeroportin e Beogradit nga policia kufitare serbe.

Lexo po ashtu Rada Trajkoviq i reagon Listës Serbe pasi kërcënuan me 'kryengritje' të serbëve në Kosovë

“Nuk më besohet se po e shkruaj këtë, por jam ndaluar sërish nga policia kufitare në Aeroportin e Beogradit. Ata duket se mendojnë se publiku do të lodhet me postimet e mia, dhe se bashkësia ndërkombëtare do ta pranojë keqtrajtimin tim si fakt. Ndërsa ‘ata të tyre” që janë nën sanksionet e SHBA-ve po lëvizin të lirë…”, ka shkruar Trajkoviq, më 4 mars të këtij viti.

Rada Trajkoviq, kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës, është njëra nga politikanet serbe që vazhdimisht ka kritikuar presidentin serb Vuçiq, për politikën që po udhëheq ai ndaj serbëve të Kosovës, të cilët, sipas saj, ai po i përdor për të ruajtur pushtetin në Serbi. /Telegrafi/