Një grua 52-vjeçare ka arritur e vdekur në një ordinancë private në Viti. Kështu së paku pretendon mjeku që e pranoi i pari.
Pas shqetësimeve shëndetësore që kishte pasur, një grua që i përkiste komunitetit rom ka arritur e vdekur në Ordinancën “Medikus” në Viti, të shtunën.
Kjo qendër mjekësore është më e afërta me fshatin Vërbovc, i cili njëherit është fshati ku e ndjera banonte.
Doktori që është edhe pronari i kësaj ordinance, Rrahim Avdiu për Tv Dukagjinin ka thënë se 52 vjeçarja kishte shkuar pa shenja jete në ordinancën e tij.
“Pacientja, kur jam afruar te ajo, ka qenë pa shenje jete. Megjithëse familjarët kërkonin ta ngjallja por unë nuk mund ta ngjallë njeriun e vdekur edhe i kam dhënë adrenalinë. Ka vuajtur prej diabetit, hernisë abdominale, bronhit kronik e yndyrës. Shumicën e terapisë e ka marrë nga spitalet serbe”, ka deklaruar Rrahim Avdiu.
E ndjera ishte trajtuar herë pas here në këtë klinikë dhe para saj, në klinika serbe.
Lidhur me rastin, nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Viti nuk kanë dhënë detaje.
Sipas raportit të Policisë, vdekja e saj u konstatua në Emergjencë ndërsa trupi më pas ishte dërguar për obduksion.
Të afërmit e 52 vjeçares nuk kanë dashur që të prononcohet për televizionin, ndërkaq ajo u varros në varrezat e fshatit Vërbovc, të dielën.