Policia gjermane është duke hetuar vdekjen e 21 personave në një kompani, pasi një punonjës dyshohet se është kapur duke helmuar ushqimin e kolegëve të tij, raporton CNN.
Policia gjermane nuk ka zbuluar identitetin e 56-vjeçarit, që po akuzohet për tentim vrasje në një kompani në veriperëndim të Schloss Holte-Stukenbrock ku edhe jeton ky burrë, transmeton Telegrafi.
Ai është filmuar nga kamerat e sigurisë duke hapur kutitë e ushqimit të kolegëve, duke u hedhur një substancë të dyshimtë brenda sandviçëve, thuhet në një deklaratë të policisë.
Një shishe e vogël me një substancë është gjetur në çantën e të dyshuarit i cili më pas është dërguar në mbajtje.
“Pronarët” e sandviçëve ishin alarmuar pasi kishin zbuluar një substancë të panjohur që kishte aromë të çuditshme. Ata menjëherë kishin informuar menaxhmentin e kompanisë që i telefonuan policisë.
Dhe pas marrjes së mostrave që u dërguan në laborator është konstatuar se substanca është helmuese, dhe kishte sasi të mjaftueshme që të shkaktoj shkatërrimin e disa organeve vitale.
I akuzuari është sjell në bankën e të akuzuarve më 17 maj, për të cilin ishte lëshuar urdhër arrest për tentim vrasje.
Ekipet e zjarrfikësve kanë gjetur merkur dhe substanca tjera në apartamentin e të dyshuarit në Bielfeld. Sipas policisë ky burrë ishte munduar prej kohësh të prodhoj “substancë helmuese”.
Autoritetet e sigurisë kanë zgjeruar pistën e hetimeve, pas dy rasteve tjera të ngjashme që kishin ndodhur në këtë kompani gjatë viteve të fundit.
Ata gjithashtu janë duke i ekzaminuar me kujdes provat që kanë të bëjnë me të gjitha vdekjet që kanë ndodhur në këtë kompani që nga vitit 2000, ku 21 prej tyre kanë humbur jetën para se të pensionoheshin.
“Shumica e viktimave që ishin punonjësit të kësaj kompanie, kanë pësuar sulm në zemër dhe janë prekur nga kanceri”, thuhet në raportin e policisë.
Deri më tani nuk dihen motivet që kanë shtyrë këtë burrë të ndërmerr veprime të tilla. /Telegrafi/