Policia gjermane po heton motivet e sulmit që do të sqaronin arsyet se pse një i ri 18-vjeçar, gjermano-iranian, ka hapur zjarr në Qendrën tregtare në Mynih, në mbrëmjen e 22 korrikut, duke lënë të vdekur të paktën 9 persona dhe plagosur 16 të tjerë.
Trupi i pajetë i të dyshuarit u gjet rreth një kilometër larg nga Qendra tregtare “Olympia” ku u vranë qytetarët, me gjasë i vetëvrarë në kokë, tha policia.
Ai nuk ishte i njohur për policinë më parë.
Autoritetet e qytetit kanë thënë mëngjesin e 23 korrikut se i kanë dhënë fund edhe gjendjes emergjente, duke iu kërkuar megjithatë kujdes qytetarëve të shqetësuar të Munihut.
Mirëpo, tani policia beson se autori i sulmit ka vepruar i vetëm dhe trupi i tij është gjetur i vdekur rreth 1 kilometër nga Qendra Tregtare apo “Olympia Einkaufszentrum”, ku edhe ka ndodhur sulmi..
“Në kuadër të kërkimeve tona, ne e kemi gjetur një person që e ka vrarë veten. Personi në fjalë me siguri është sulmuesi, i cili, sipas të dhënave të tashme të hetimeve, ka vepruar i vetëm”, ka thënë policia e qytetit nëpërmjet rrjetit social, “Twitter”.
Personi në fjalë është thënë se është një gjermano – iranian, 18 vjeç, dhe i cili ka qenë banor i Mynihut.
Autoritetet thonë se motivet që e kanë shtyrë atë ta bëjë këtë vepër ende nuk dihen.
Sipas Policisë, ka arritur në 9 numri i viktimave, përfshirë edhe një person që ka vdekur në spital më vonë nga plagët e marra gjatë sulmit. Së paku 21 persona janë plagosur gjatë incidentit.
Policia thotë se rreth 100 persona kanë qenë dëshmitarë të sulmit.
Zyrtarët po e hetojnë qantën e kuqe që është gjetur afër trupit të pajetë të personit që dyshohet se është autor i sulmit për të parë nëse ka eksploziv.
Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, e dënoi sulmin dhe tha se “ndjen me ata që janë në terren për të mbrojtur njerëz dhe shpëtuar jetë”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, premtoi mbështetje për Gjermaninë.
“Zotohemi se do të ofrojmë gjithë mbështetjen për të cilën mund të kenë nevojë”, tha Obama dhe shprehu solidaritet me të prekurit nga tragjedia.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan i Shtetit, Elizabeth Trudeau, tha se autoritetet amerikane po punojnë me ato gjermane për të parë nëse ndonjë shtetas amerikan është prekur.
Ministri i Jashtëm i Britanisë, Boris Johnson, tha se është i tronditur nga “sulmi i tmerrshëm” dhe “humbja e jetëve”.
“Jemi të gatshëm për të ndihmuar miqtë tanë në Gjermani. Këshilla jonë për shtetasit britanikë në zonë është të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve lokale”, tha Johnson.
Rasti i mbrëmjes së 22 korrikut është rasti i tretë i një sulmi të madh kundër civilëve në Evropën Perëndimore në tetë ditët e fundit.
Përgjegjësinë për sulmet e mëparshme, ai në Nicë të Francës dhe në një tren në Bavari të Gjermanisë janë marë nga grupi militant, Shteti Islamik.
Policia fillimisht edhe këtë sulm të mbrëmjes së 22 korrikut e ka trajtuar si incident terrorist.
Këtë të premte është shënuar edhe pesë vjetori i masakrës së kryer nga Ander Behrin Beivik në Norvegji gjatë së cilës janë vrarë 77 persona. Breivik konsiderohet hero për militantët e të djathtës ekstreme në Evropë dhe Amerikë. /REL/