Policia gjermane ka ndalur të premten fushatën e kundërligjshme për vaksinim në aeroportin e Lübeck, ku edhe tërhoqi vëmendjen e shumë njerëzve.
Policia njoftoi se vaksina që u proklamua nuk ka marrë miratimin për përdorim nga organet shëndetësore, dhe se përdorimi i saj konsiderohet si vepër penale sipas ligjeve në Gjermani, transmeton Telegrafi.
Mbi 50 persona janë vaksinuar me këtë preparat para e policia të ndërpriste fushatën. Pronari i aeroportit është Winfried Stöcker, ndërmarrës dhe mjek që zhvilloi vaksinën e tij kundër coronavirusit.
Kujtojmë që në prill të vitit të kaluar, zyra e tij konfirmoi se po zhvillon vaksinën të cilën pret ta testoj në trupin e tij. E me të ardhur policia në aeroport, afro 80 persona gjendeshin në objekt dhe 150 tjerë në sallën e pritjes së pasagjerëve.
Aty policia sekuestroi mostrat dhe injeksionet e përdorura si dhe përshkrimin e vaksinës së dhënë. /Telegrafi/