Në orët e para të së mërkurës policia gjermane ka kryer disa operacione dhe kontrolle kryesisht në Duseldorf, Duisburg dhe Dortmund, ndaj disa personave te dyshuar për lidhje me ekstremizmin islamik. Lajmi është konfirmuar nga mediat gjermane.
Operacioni i policisë i mbështetur nga 150 agjentë kishte në objektiv predikues që sipas akuzave rekrutonin të rinj për të luftuar në Siri dhe Irak.
Mediat gjermane citojnë burime të policisë kriminale federale kur shkruajnë se akuza kundër imamëve është ajo e përfshirjes dhe mbështetjes së organizatave terroriste jashtë vendit.
Disa prej të arrestuarve ruheshin prej kohësh nga policia.
Mes tyre është edhe pronari i një agjencie turistike në Duisburg e cila në krah të agjencisë kishte dhe një sallë ku mbaheshin kurse islamike.
Mendohet të jetë pikërisht ky vendi ku janë radikalizuar dy sulmuesit e tempullit Sik në Esen. Pronari i agjencisë ndër të tjera dyshohet për lidhje me salafitët në Siri.