Telegrafi

Policia garanton se nuk do të lejohet përshkallëzimi i situatës në veri

Komandanti i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi i ka thënë Radio Kosovës se tashmë janë parandaluar veprimet më të rrezikshme të planifikuara për t’u realizuar në veri. Ai ka thënë se gjërat janë ndërlikuar, por ka garantuar se nuk do lejohet përshkallëzim i situatës.

Inteligjenca e Policisë së Kosovës ka gjetur se sulmet e vazhdueshme në veri të Kosovës po organizohen nga së paku 5 grupe të ndryshme, kryesisht të strukturave të sigurisë së Serbisë që operojnë në Kosovë.

Komandanti regjional i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçi thotë për Radio Kosovën se harta e sulmeve dhe natyra e tyre nuk i takojnë vetëm MUP-it, por edhe disa grupeve tjera.

“Ne kemi bërë një analizë të sulmeve dhe rezultatet na dalin se struktura e viktimave është e ndryshme. Kemi qytetarë shqiptarë, serbë, grupe të biznesit apo të interesave të ndryshme, pjesëtarë të MUP dhe kjo na çon të pista e dyshimit për grupe dhe persona të ndryshëm”, ka thënë Thaçi.

Komandanti regjional ka thënë se informacionet e inteligjencës shpien te sulme të planifikuara në vazhdimësi ndaj të gjitha etniteteve.

“Informatat tona të inteligjencës tregojnë se sulmet nuk janë të drejtuara vetëm ndaj njerëzve që punojnë për institucionet e Kosovës sepse ka shumë raste të sulmeve ndaj qytetarëve serbë që s’kanë të bëjnë asgjë me institucionet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Njeriu i parë i policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçi nuk ka dhënë garanci aq të madhe për parandalimin sulmeve, megjithatë ka thënë se policia ka plane që evitojnë gjithsesi përkeqësimin e situatës.

“Ne jemi duke bërë maksimumin. Realisht unë mendoj dhe besoj që kemi arritur të parandalojmë planet madhore të strukturave kriminale për shkak se ua kemi pamundësuar deri në një masë të madhe veprimin”, ka thënë Thaçi.

Ditë jo aq të qeta për veriun e Kosovës ka paralajmëruar edhe vetë ndërmjetësuesja e bisedimeve më Serbinë, baronesha Catherine Ashton. Ajo pas takimit të fundit në Bruksel ka thënë se ditët në vazhdim do të jenë kritike. /Telegrafi/