Telegrafi

Policia futet në zonën e okupuar të Seattle, arrestojnë të gjithë protestuesit që iu kundërvinin – “pastrojnë” gjithçka para vetes

Policia në Seattle të SHBA-ve është futur në të ashtuquajturën “zona autonome”, të cilën për javë të tëra e kanë mbajtur nën kontroll demonstruesit – duke filluar kështu aksionin për “pastrimin e terrenit”.

Të gjithë ata persona që kanë refuzuar të largohen nga kjo zonë janë arrestuar, ku deri më tani janë dërguar në paraburgim të paktën 10 persona, transmeton Telegrafi.

Kohë më parë kryetarja e qytetit Janie Darkan, u kishte bërë thirrje qytetarëve që ta braktisin zonën e barrikaduar. Megjithatë nuk ka kaluar shumë kohë dhe policia njoftoi se po futet në zonën “autonome”, pas disa javëve dhunë.

Që nga 8 qershori kur edhe u formua kjo zonë që quhej “Chaz”, kanë ndodhur 4 të shtëna armësh ku si pasojë kanë humbur jetën dy persona dhe shumë tjerë janë lënduar.

Kujtojmë që Capitoll Hill Autonomus Zone e njohur ndryshe si CHAZ, ka ndodhur si pasojë e protestave masive që shpërthyen në mbarë SHBA-të si shenjë proteste e dhunës së policisë dhe vrasjes së afro-amerikanit George Floyd.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba që të shpërndanë masën, të cilët vazhdimisht hidhnin mbi policinë gurë, mjete piroteknike si dhe shishe. /Telegrafi/