Policia franceze qëlloi për vdekje një burrë që dyshohej se kishte thikë në një aeroport të Parisit mëngjesin e së mërkurës, konfirmuan burime policore për Euronews.
“Duke treguar gjakftohtësi, policia neutralizoi mëngjesin e sotëm një person kërcënues me thikë në aeroportin Roissy Charles de Gaulle”, thuhet në një deklaratë në llogarinë në Twitter të prefekturës së policisë së Parisit, përcjell Telegrafi.
Ngjarja ndodhi në terminalin 2F të aeroportit, në veri-lindje të kryeqytetit francez, rreth orës 8:20.
Faisant preuve de sang-froid, les policiers ont neutralisé ce matin un individu menaçant en possession d'une arme blanche à l'aéroport de #Roissy Charles de Gaulle. pic.twitter.com/KBtVKQVtbH
— Préfecture de Police (@prefpolice) August 10, 2022
“Një person i pastrehë po shqetësonte agjentët e sigurisë dhe policia kufitare u thirr për të ndihmuar në evakuimin e tij”, tha një burim aeroporti për agjencinë e lajmeve AFP.
Burri u largua dhe vazhdoi t’i ofendonte. Më pas ai u kthye dhe nxori një thikë. Një nga oficerët e policisë më pas përdori armën e tij, shtoi një burim policor.
Një fotograf i AFP-së i cili ishte dëshmitar i skenës shpjegoi se “një burrë i gjatë me ngjyrë tundi një objekt që dukej si thikë në drejtim të policisë. U dha një paralajmërim, por ai doli përpara dhe një polic qëlloi. U shkrep vetëm një e shtënë”, ka thënë dëshmitari.
Viktima u vendos në barelë dhe u evakuua në një zonë të paarritshme për pasagjerët, tha fotografi. /Telegrafi/