Telegrafi

Policia franceze arrin në Liban për ta hetuar shpërthimin vdekjeprurës në Bejrut

Franca zbarkoi në Liban një transportues të helikopterëve si dhe policinë e “mjekësisë ligjore” për ta hetuar shpërthimin vdekjeprurës në Bejrut.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, hetimi mbi shpërthimin masiv u kërkua nga ana e protestuesve libanezë si dhe bashkësia ndërkombëtare.

Kjo vjen pasi hetimi gjyqësor i Libanit filloi me grindje politike për sa i përket emërimit të një hetuesi, ndërkaq lindi frika se qeveria mund të anonte për sa i përket kësaj çështjeje, raporton Euronews, transmeton Telegrafi.

Për të ndihmuar në hetimin e shpërthimit në kryeqytetin libanez, bëhet e ditur se në Bejrut u dërgua edhe një ‘lajmëtar’ nga SHBA-ja.

“Ne, me të vërtetë duhet ta bëjmë një hetim të plotë dhe transparent. Ne duhet ta dimë se çfarë ndodhi ditën e shpërthimit dhe se cilat ishin rrethanat”, u shpreh diplomati David Hale.

Shpërthimi masiv i cili ndodhi ditë më parë në një port të Bejrutit, la të vdekur më shumë se 170 persona si dhe plagosi rreth 6,000 të tjerë. /Telegrafi/