Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar 32-vjeçarin në Durrës i cili ua mori varëset nga qafa dy shtetaseve.
Në njoftim thuhet se Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh Durrës, me marrjen e njoftimit se një shtetas kishte kryer dy vjedhje duke iu marrë me forcë varëset nga qafa dy shtetaseve, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
“Falë reagimit në kohë, veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë e mundur identifikimi dhe lokalizimi i autorit të dyshuar, ku në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit G.M (J), 32 vjeç, banues në lagjen 2 Kavajë”, thuhet në njoftim.
Ky shtetas u ka marrë me forcë varëset nga qafa dy shtetaseve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”. /Telegrafi/