Policia e Shtetit ka reaguar pasi selia blu ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë, për lidhje me krimin dhe drogën. Në reagimin e saj, policia shprehet se akuzat e PDsë janë të pabaza. Sipas policisë, nuk ka asnjë tërheqje në luftën ndaj krimit dhe paligjshmërisë.
“Policia e Shtetit në respekt të këtij opinioni ka vetëm një përgjigje të shkurtër dhe të qartë: nuk ka asnjë tërheqje në këtë luftë kundër krimit dhe paligjshmërisë”, thuhet në reagim.
Policia thotë se përgjigja për PDnë është që ky subjekt politik t’i drejtohet Prokurorisë. “Edhe për PDnë përgjigja mbetet e njëjtë: për çdo akuzë dhe fakt të pretenduar, t’i drejtohet Prokurorisë”, sqaron më tej policia.
Policia e Shtetit përmbyll deklaratën duke thënë se e vetmja rrugë për të ndërtuar shtetin e së drejtës është ajo ku politika të respektojë ligjet dhe të punohet pa presion politik.