Site icon Telegrafi

Policia e njihte vrasësin e policit në Paris

Sulmuesi i Parisit kishte qenë një person i njohur për policinë. Zyrtarët francezë ende nuk e kanë bërë publik identitetin e tij, të cilin e zbuluan nga dokumentet që burri kishte lënë në makinë.

39-vjeçari, sipas mediave lokale, jetonte në një periferi të kryeqytetit dhe konsiderohej si radikal i mundshëm islamik. Ai qëlloi për vdekje një polic të enjten e plagosi dy të tjerë, përpara se të vritej nga forcat e sigurisë në Champs-Elysees.

Një prej të lënduarve është në gjendje të rëndë shëndetësore. Përgjegjësinë e ngjarjes nxitoi ta merrte përsipër Shteti Islamik, siç ka ndodhur rëndom kohët e fundit me sulmet nëpër Europë.

Rikthimi i terrorit në Paris shënjestroi sërish një prej zonave ikonë të kryeqytetit francez. Ai vjen në kohën kur vendi përgatitet për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të dielën. Presidenti François Hollande u shpreh i bindur se sulmi kishte sfond terrorist e shtoi se forcat e sigurisë kanë mbështetjen e plotë të kombit francez dhe se në nder të policit të rënë në krye të detyrës do të zhvillohen homazhe.

Liderja e Frontit Nacional, Marine le Pen dhe kandidati i qendrës së djathtë, François Fillon i anuluan impenjimet e parashikuara për të premten, që është dhe dita e fundit e fushatës. /Telegrafi/

Exit mobile version