Policia e Kosovës brenda periudhës 12 vjeçare ka arritur ngritjen e kapaciteteve të saja, duke u krahasuar me policitë e vendeve të rajonit si për nga sasia, po ashtu edhe për nga cilësia. Bile patëm filluar me i “thurë” edhe lëvdata për punën profesionale, por një polici që të jetë efikase duhet që të ruhet dhe të mos involvohet në punët e pista (krim të organizuar, korrupsion, trafikim) etj.
Siç duket kohët e fundit, Policia e Kosovës ka pas një rënie të besueshmërisë për arsye të shumë aferave korruptive. Për këtë tregon edhe anketimi i kryer nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me qendër në Prishtinë, ku të anketuarit u pyetën se si ata ishin të kënaqur me punën e institucioneve të sigurisë, duke dhënë mendimin e tyre edhe për policinë e Kosovës. Këtu policia renditet goxha lartë me humbjen e besueshmërisë për shkak të aferave e mëdha korruptive të cilat nuk kanë të ndalur, e autorët nuk po gjenden e as nuk po dënohen. Është e pabesueshme se si deri sot askush nuk mori dhe nuk shkoi në përgjegjësi për këto skandale dhe afera.
Në kuadër të Policisë së Kosovës funksion edhe policia kufitare. Një shqetësim është funksionimi dhe efikasiteti i policisë kufitare e cila po përballet me luftën kundër krimit transnacional. Kjo është dhe mbetet një ndër prioritetet kryesore për Policinë Kufitare. Kapacitet e saj nuk mungojnë dhe efikasiteti në “letër” është OK, por gjendja në terren nuk po duket ashtu.
Gjendja në zonën kufitare me Serbinë nuk lë vend për tu kënaqur. Ajo është tejet shqetësuese. Krimi i organizuar transnacional është evident pikërisht në zonën kufitare me Serbinë. Nuk duhet habitur fakti se edhe pse Policia e Kosovës nuk ka bashkëpunim me atë të Serbisë, grupet e organizuara, trafikantët dhe kontrabanduesit e kanë një bashkëpunim të shkëlqyer mes veti.
Në zonat e banuara me serbë as që mund të flitet për suksese të policisë kufitare të Kosovës, kur dihet se andej nuk operon policia kufitare e Kosovës. Por, është brengos fakti se në pjesët ku Policia e Kosovës e ka në administrim vijën kufitare sepse kontrabanda dhe trafikimi janë evidente (droga, armët, barnat me afate të skaduar, bagëti etj.).
Krerët e policisë së Kosovës duhet të alarmohen sepse është shqetësuese involvimi e një pjese të oficerëve policorë në këto dukuri.
“Suksesi” i kontrabanduesve është bërë edhe në saje të bashkëpunimit me qytetarët e zonave kufitare, ku duke i joshur me para, në një farë formë janë bërë bashkëpunëtorë dhe bashkëkryes të veprave penale.
Prandaj, është koha që mekanizmat që janë të thirrur në kuadër të Policisë së Kosovës , pse jo edhe Prokuroria e Shtetit, të fillojnë hetimet lidhur me bashkëpunimin e një pjese të oficerëve policorë me kontabandues dhe trafikantë, në mënyrë që efikasiteti i policisë kufitare të jetë ma i madh dhe të vërehen sukseset e saja te qytetarët tanë.
Policia e Kosovës do të duhej të garantojë siguri të shtuar kufitare, duke parandaluar, duke zbuluar dhe duke kapur kriminalët e përfshirë në veprimtari të krimit ndërkufitar (trafikim të qenieve njerëzore, konrabandim të armëve, narkotikë, vetura të vjedhura dhe kontrabandimet të të tjera të cilat janë të ndaluara me ligj), duke e ditur se kjo paraqet rrezikim të sigurisë nacionale te Kosovës.