Telegrafi

Policia e Kosovës ndalon një person, dyshohet se ka ndihmuar Faton Hajrizin pas arratisjes

Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar në lidhje me arratisjen e Faton Hajrizit nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, duke njoftuar se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka zhvilluar hetime intensive lidhur me arratisjen e ndodhur ditë më parë në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Si pjesë e këtyre veprimeve hetimore, sot, më 20.07.2024, është thirrur për intervistim një person mashkull kosovar, për të cilin dyshohet se ka ndihmuar të dyshuarin pas arratisjes,” tha Kelani.

Lexo po ashtu Kujt i takon përgjegjësia për vendosjen e Faton Hajrizit në burg të hapur?

Pas konsultimeve me prokurorin kompetent, është marrë vendimi për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, për të vazhduar me procedurat hetimore.

Ngjarja ndodh rreth një javë pas arratisjes së Faton Hajrizit, i cili u vra nga policia serbe në Lloznicë të Serbisë.

Dyshohet se mesnatën e së mërkurës, Hajrizi vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër gjatë një incidenti ende të pazbardhur në Lloznicë.

Kosova ka kërkuar hetime të thelluara për rastin, duke vënë në dyshim versionin e ngjarjes që e kanë dhënë autoritetet serbe./Telegrafi/