Site icon Telegrafi

Policia e Kosovës mban takim për gjendjen e përgjithshme në trafikun rrugor

Policia e Kosovës do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore përmes planifikimeve konkrete operacionale për menaxhimin dhe kontrollin e trafikut në vend, në mënyrë që të kemi një siguri edhe më të madhe nëpër rrugët tona.

Kështu u tha sot në një takim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ku u diskutua gjendja e përgjithshme në trafikun rrugor dhe masat e mëtejme që duhet ndërmarr për menaxhimin sa më efikas të trafikut në vendin tonë.

Në këtë takim u vlerësua nevoja e bashkërendimit të të gjithë akterëve përfshirë edhe institucioneve tjera relevante për krijimin e kushteve dhe rrethanave më të mira për sigurinë e përgjithshme rrugore.

Po ashtu, u potencua edhe roli dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm i mediave në përgjithësi, në funksion të prezantimit dhe ofrimit të informacioneve për publikun lidhur me aktivitetet/operacionet policore, fushatat vetëdijesuese dhe planet e programet për parandalim dhe vetëdijesim.

Takimi u mbajt nën drejtimin e Drejtorit për Operacione në Policinë e Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor Nënkolonel Jeton Rexhepi dhe të tjerë. Pjesëmarrës, gjithashtu ishin përfaqësues të Policisë nga Divizioni për Siguri Publike, shefat e njësive rajonale të trafikut si dhe të Njësisë për kontroll të autostradave.

Exit mobile version