Site icon Telegrafi

Policia e Kosovës demanton mediat serbe

Policia e Kosovës reagon dhe njëherësh demanton informacionet dhe shkrimet e publikuara nga mediumet serbe, ku thuhet se Njësitet Speciale Operative të Policisë së Kosovës kanë shkruar mbishkrimin “UÇK” në një kioskë në Llapnasellë, gjatë largimit të fotografive-posterave me përmbajtje të zgjedhjeve lokale serbe te vendosura ne Graçanicë dhe Llapnasellë, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se Policia e Kosovës, bazuar në planin operativ, i cili ka të bëjë me parandalimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, ka ndërmarrë disa veprime si në Graçanicë dhe Llapnasellë për largimin e fotografive-posterave, që kanë pasur përmbajtje të zgjedhjeve lokale serbe.

“Zyrtarët policorë, të përfshirë në detyrë, në asnjë mënyrë nuk kanë shkruar asnjë mbishkrim në asnjë lokacion, duke përfshirë edhe kioskën i cili potencohet në shkrimet e mediumeve serbe dhe për hir të informimit të drejte të opinionit publik ju informojmë se shkrimet e tilla të publikuara nga mediumet serbe nuk qëndrojnë dhe nuk janë të vërteta”, thuhet në kumtesën e Policisë së Kosovës, të cilën e transmeton Koha.net.

“Policia e Kosovës gjatë gjithë operacionit policor ka pas të angazhuar njësitin policor të forenzikës, i cili ka filmuar gjatë gjithë kohës veprimet policore në teren dhe gjatë këtij operacioni nuk ka vërejtur mbishkrimin e tillë”.

Në kumtesë thuhet se zyrtarët policorë, në po ato lokacione kanë hasur në mbishkrimet “Serbija”.
Policia e Kosovës është e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës. /Telegrafi/
 

Exit mobile version