Agjentët e seksionit të krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Durrësit kanë arritur të zbardhin dhe dokumentojnë një ngjarje kriminale të ndodhur mëngjesin e sotëm në këtë qytet, ku një i ri ka tentuar të vrasë të dashurën e tij.
Sipas një njoftimi për shtyp, agjentët kanë arritur të zbardhin tërësisht skemën e ngjarjes kriminale, që pasoi me arrestimin e shtetasit Antonio Zani, 33 vjeç.
Kështu, është dokumentuar se, rreth orës 6 të mëngjesit Zani ka shkuar në banesën e shtetases me inicialet N.M, ku partnerja e tij punonte si kujdestare për të zonjën e shtëpisë dhe pas një konflikti verbal ka tentuar ta vrasë atë me thikë.
Si pasojë e sulmit, 20-vjeçarja me inicialet A.D ka mbetur e plagosur dhe është dërguar nga autoritetet lokale në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Uniformat blu që shkuan në vendin e ngjarjes bënë mbikëqyrjen e skenës së krimit, identifikuan autorin, i cili u vu në pranga pak më vonë dhe sekuestruan provat materiale: një thikë që plotëson kushtet e armës së ftohtë; një qese me një sasi lënde narkotike të llojit kanabis sativa; dhe 3 telefonë celularë.
Nga kryerja e veprimeve hetimore janë ngritur dyshimet se autori ka qenë nën ndikimin e drogës në momentin e kryerjes së veprës. Antonio Zani rezulton me precedentë penalë të mëparshëm, për krime kundër jetës dhe për qarkullim lëndësh narkotike.
Gjatë sulmit ndaj së dashurës, ai ka marrë gjithashtu plagë në trup dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Materialet i janë kaluar prokurorisë së rrethit që ka ngritur ndaj 30-vjeçarit akuzat e “mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” dhe “shitje të narkotikëve”.