Telegrafi

Policia e Berlinit nuk po kërkon të dyshuar për shpërthimin e akuariumit

Policia e Berlinit thotë se nuk po kërkon të dyshuar pas shpërthimit të akuariumit “AquaDom” të premten, duke paralajmëruar publikun për atë që ata thonë se është një postim i rremë në Twitter që sugjeron se ata janë duke kërkuar për të dyshuar.

Shpërthimi i akuariumit në hotelin Radisson Blu derdhi një milion litra ujë të kripur, duke përmbytur hotelin dhe rrugët përreth, transmeton Telegrafi.

Qindra peshq ngordhën dhe dy persona u lënduan nga rrëzimi i xhamit.

Tashmë inspektorët thonë se ndërtesa është e sigurt.

Një burim policor i tha mediave lokale të premten se nuk kishte prova që shpërthimi në akuariumin 15.85 metra të lartë ishte rezultat i një sulmi të synuar.

Ata gjithashtu kanë reaguar në mediet sociale për të hedhur poshtë një postim nga një llogari kopjuese që kërkon ndihmën e publikut për të gjurmuar të dyshuarit e lidhur me incidentin.

Një postim në Twitter nga llogaria e vërtetë e policisë së Berlinit thotë se ata nuk kanë lidhje me postimin e rremë dhe iu kanë kërkuar njerëzve që të mos e ri-shpërndajnë atë.

Një hetim për shkakun e saktë të shpërthimit është duke vazhduar, por ka pasur spekulime se temperaturat e ngrirjes – të cilat ranë deri në minus 6 gradë Celsius gjatë natës të premten – mund të kenë shkaktuar një çarje në rezervuar. /Telegrafi/