Telegrafi

Policia del me rekomandime për bizneset për të mos rënë pre e mashtrimit

Policia e Kosovës dhe Oda Ekonomike në një deklaratë të përabashkët bëjnë me dije se kohëve të fundit janë duke u raportuar raste nga pronarët e kompanive të bizneseve të ndryshme që kanë të bëjnë me një formë mashtrimi përmes sistemeve kompjuterike, ku si pasojë shkaktohet edhe dëm i konsiderueshëm.

“Personat e dyshuar arrijnë në forma të ndryshme të sigurojnë të dhëna për kompanitë e biznesit, siç janë: qarkullimin e mallrave, faturat, pagesat e ndryshme, komunikimet përmes kompjuterit (e-mail-ave) etj.”, thuhet në komunikatë.

Policia konfirmon se duke u bazuar në rastet e deritanishme, personat e dyshuar kanë arritur që të ndërhyjnë në komunikimin përmes internetit (shkëmbimin e e-mail-ave) të kompanive biznesore (njëra në Kosovë e tjetra jashtë Kosovës) duke ndryshuar të dhënat e xhirollogarive si dhe duke u paraqitur në emër të kompanisë tek e cila është dashur të transferohen mjetet për pagesë të mallit.

“Fatkeqësisht në disa raste transferet janë realizuar dhe mjetet janë tërhequr, por në disa raste ato janë stopuar dhe mjetet janë bllokuar në bankat jashtë Kosovës, pasi është arritur të raportohet shpejtë mashtrimi”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë një gjë e tillë mund të bëhet përmes infektimit me ndonjë virus të kompjuterëve të kompanive, ku më pastaj arrihet qasja në kompjuter dhe njëkohësisht në të gjitha dokumentet dhe të dhënat që i posedon kompjuteri përkatës.

Infektimi i kompjuterit me virus bëhet në disa mënyra, si: përmes “attachement-eve” në e-mail-a të falsifikuar, përmes USB-ve e formave të tjera.

Duke parë të gjitha këto Policia e Kosovës së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës, e sheh të nevojshme që të nxjerrë disa rekomandime për kompanitë e bizneseve, me qëllim që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve.

Rekomandimet janë si në vijim: Të sigurojnë sistemet kompjuterike me antivirus; të përdorin vetëm një kompjuter për komunikim si dhe kjo të bëhet në formë të kontrolluar, p.sh. të autorizohet vetëm një apo dy punonjës të kompanisë që merren me komunikim dhe transaksione; në këtë kompjuter mos të instalohen kurrfarë programesh përpos atyre që janë të nevojshme për kryerjen e punëve dhe për të cilat ka licencë; të mos hapen e-mail-a të dyshimtë apo që nuk iu dihet dërguesi; të vërtetohet se e-mail-i nga kompania partnere është i vërtetë (keqbërësi e ndryshon vetëm një karakter në e-mail p.sh. në vend të shkronjës o shkruhet me u – johnson@mail.com – e-mail i vërtetë kurse johnsun@mail.com – e-mail i rrejshëm); para autorizimit të kryerjes së transaksionit, të konfirmohet me kompaninë partnere nëse xhirollogaria është e vërtetë, kjo mund të bëhet përmes komunikimit në forma tjera (p.sh. me telefon fiks etj.); për çdo transaksion të kontaktojnë bankat respektive në Kosovë, gjithashtu edhe në këtë mënyrë mund të dihet se ku gjendet xhirollogaria;

“Nëse ndërmerren këto masa, me siguri se rreziku për të qenë viktimë e mashtrimit do të jetë shumë i ultë”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/