Telegrafi

Policia bllokon Klinikën Infektive, largohen disa trupa të pajetë

Forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë aktualisht në Klinikën Infektive të QKUK-së. Është raportuar se në këtë klinikë ka shkuar edhe prokurori.

Ekipi i Mjekësisë Ligjore është duke i larguar trupat e pajetë.  Ndërsa dyshohet se katër persona kanë vdekur mëngjesin e sotëm me COVID-19 në Klinikën Infektive në QKUK.

Deri te kjo dyshohet se ka ardhur për shkak të shpenzimit të oksigjenit në sistem.

Në mesin e tyre bëhet fjalë edhe për një 70 vjeçar, familjarët e të cilit thonë se ai ka vdekur nga pakujdesia e mjekëve.

Vajza e të ndjerit ka treguar se dyshon që oksigjeni, të cilin e ka marrë babai i saj nuk ka qenë në rregull, derisa ka thënë se mjekët nuk janë kujdesur për të.

Deri më tani janë të konfirmuar 66 viktima nga COVID-19 në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë të shtunës ka regjistruar 178 raste të reja me koronavirus – njëherësh shifra më e lartë e infektimeve ditore, që prej paraqitjes së rasteve të para me këtë virus, në mars të këtij viti.

Më herët gjatë ditës së shtunë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës njoftoi për gjashtë viktima nga koronavirusi. Por, në njoftimin e IKSHPK-së, raportohet edhe për dy raste të reja të vdekjeve, duke e çuar në 66 numrin e përgjithshëm të viktimave. /Telegrafi/