Policia federale Braziliane ka bastisur sot shtëpinë e ish-presidentit brazilian, Jair Bolsonaro.
Kjo është bërë në kuadër të një hetimi ndaj një grupi të dyshuar për futjen e informacioneve të rreme të vaksinimit për coronavirusin, raporton reuters.
Dy nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Bolsonaros, Mauro Cid dhe Max Guillerme, u arrestuan në një operacion policor, sipas agjencisë.
Policia njoftoi se informacioni i rremë dyshohet se ishte shtuar në bazën e të dhënave midis nëntorit 2021 dhe dhjetorit 2022, kur Bolsonaro ishte president, për të ndryshuar statuset e imunizimit të njerëzve ende të paidentifikuar.
“Si rezultat, ata ishin në gjendje të lëshonin certifikata vaksinash dhe t’i përdornin ato për të anashkaluar kufizimet e vendosura nga autoritetet në Brazil dhe Shtetet e Bashkuara”, pohoi policia.
Reuters kujton se Bolsonaro, ndërsa ishte në detyrë si president, ishte skeptik për efektivitetin e vaksinave kundër COVID-19 dhe u zotua të mos vaksinohej kurrë.
Ish-presidenti i Brazilit tha se ishte i befasuar nga bastisja e policisë në shtëpinë e tij, si pjesë e një hetimi për falsifikimin e të dhënave të vaksinimit kundër coronavirusit.
“Nga ana ime, asgjë nuk ishte falsifikuar. Unë nuk isha vaksinuar. Pikë”, tha Bolsonaro. Ai ka shtuar se policia i ka konfiskuar celularin. /Telegrafi/