Site icon Telegrafi

Policia austriake e emigracionit arreston dhëndrin derisa po martohej, nusja mbeti e shokuar – pamjet shkaktojnë zemërim në opinionin austriak  

Një dramë e madhe shpërtheu në një dasmë në Austri, kur 12 pjesëtarë të policisë së emigracionit hynë në objektin ku po zhvillohej ceremonia martesore dhe arrestuan dhëndrin!

Skenat në dasmën e Gundula B, 40-vjeç dhe Hamza U, 26, tronditën opinionin austriak, transmeton Telegrafi.

Policia e imigracionit u fut në kështjellën Vossendorf të shtunën, ku po zhvillohej ceremonia dhe arrestoi kurdin para të gjithë të dasmorëve dhe nuses së tij para se të bëhej martesa.

Hamza u deportua në Turqi të martën në mbrëmje. Policia e imigracionit thotë se arrestimi në dasmë ishte “e vetmja mënyrë” për të gjetur Hamzën.

“Martesa nuk do të pengonte dëbimin”, sipas policisë së imigracionit.

Gregor Brackett, avokati i dhëndrit, pretendon se arrestimi është i paligjshëm dhe se pretendimet e policisë së emigracionit janë absurde.

“Martesa do të ndryshonte gjithçka. Atëherë Hamza do të merrte të drejtën e qëndrimit. Nuk ka problem që policia e emigracionit kishte dështuar ta gjente atë 13 herë më parë. Nëse nuk është kriminel, mund të qëndrojë pas dasmës”, shtoi avokati.

Brackett tha se po merr masa kundër dëbimit dhe i tregoi hapat e ardhshëm.

“Gundula dhe Hamza mund të martohen në Turqi nëse nuk ndalohet. Pastaj mund të hyjë në Austri në bazë të ligjit për bashkim familjar”, tha Brackett dhe shtoi se dhëndri me siguri do të kthehet në Austri më së voni deri në verë.

E gjithë bota e Gundula B u shemb, pasi i fejuari i saj u arrestua në kështjellën Vossendorf gjatë dasmës së tyre.

“Veprimet e autoriteteve janë të pabesueshme. Mendoj se ky lloj nxitimi në dasmë është sadizëm i pastër”, thotë nusja.

Gundula, e cila u takua me Hamzën kur ata punonin në një restorant një vit e gjysmë më parë, nuk mund ta kuptojë gjithashtu arsyen e dëbimit.

“Vendimi është marrë pa e intervistuar Hamzën. Është e paligjshme dhe po marrim masa”, tha Gundula. /Telegrafi/

Exit mobile version