Si pjesë e një hetimi të vazhdueshëm mbi importin e drogës, Policia Federale e Australisë (AFP) këtë javë ka konfiskuar asete me vlerë prej më shumë se 5 milionë euro të cilat dyshohet se janë “të ardhura nga krimet”.
Midis shufrave të konfiskuara të arit dhe argjendit janë edhe 47 vetura – duke përfshirë edhe një koleksion eklektik të veturave klasike.
Policia ka publikuar një numër të fotografive të konfiskimit ku shihet një magazinë ku strehohen veturat, të gjithat të renditura mjeshtërisht dhe të mbuluara për mbrojtje, transmeton Telegrafi.
Përderisa fotografitë janë të natyrës së përgjithshme, DriveDrive shkruan se kanë pikasur disa vetura të çmueshme koleksionuese.
Nëse veturat konsiderohen si fitime nga krimi, ato do të dalin në ankand ose do të shiten, teksa AFP në një deklaratë për media vuri në pah se: “Fondet e marra nga shitjet e aseteve të konfiskuara do të vihen në Llogarinë e Aseteve të Konfiskuara e cila menaxhohet nga Autoriteti Australian i Sigurisë Financiare në emër të Commonwealth”.
“Këto fonde do të shpërndahen nga Prokurori i Përgjithshëm dhe komuniteti do të përfitoj nga programet e parandalimit të krimit, ndëhyrjes dhe shmangies, ose edhe nga iniciativa tjera të sundimit të ligjit në të gjithë Australinë”, shtuan ndër të tjera në deklaratën e tyre Policia Federale e Australisë.
Ndër veturat klasike që u konfiskuan në këtë aksion janë: Ford Escort RS 2000, Lotus Cortina, MK1 Ford Cortina, Alfa Romeo Brera dhe një Mitsubishi Lancer. /Telegrafi/