Telegrafi

Policia australiane ka konfiskuar ngarkesën më të madhe ndonjëherë të heroinës, me vlerë prej 104 milionë dollarë

Policia australiane ka njoftuar sekuestrimin e ngarkesës më të madhe të heroinës të regjistruar ndonjëherë në vend, me vlerë rreth 104 milionë dollarë.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, autoritetet thonë se dërgesa, e cila peshonte 450 kilogramë përfshinte 1,290 pako heroinë me markë unike të kuqe.

Konfiskimi u bë në Portin e Melbourne më 29 shtator – porti më i madh i Australisë.

Autoritetet thonë se ata kanë arrestuar një burrë nga Malajzia, pasi transporti i madh u zbulua në një kontejner me pllaka qeramike.

I njëjti më vonë u akuzua për import dhe tentim posedimi të një sasie komerciale të një droge të kontrolluar nga kufiri.

Ai mund të përballet me burgim të përjetshëm krahas dënimeve të tjera.