Policia Federale e Australisë ka bërë të ditur se ka konfiskuar mbi 5 milionë doza të fentanilit, dërgesa më e madhe e opiodit që është kapur në vend.
Nga policia deklaruan se droga ishte fshehur në një makinë industriale, e njohur si torno, e cila arriti në Portin e Melbourne në dhjetor të vitit 2021 nga Kanadaja, raporton CNN.
Por ata nuk kishin nisur hetimet deri në muajin shkurt, kur zyrtarët e Forcës Kufitare të Australisë e kishin gjetur sasinë e drogës, e cila përfshinte 11.2 kilogram fentanil të pastër dhe 30 kilogram metamfetaminë, transmeton Telegrafi.
Fentanili është një qetësues që krijon varësi të madhe dhe 50 deri në 100 herë më i fuqishëm se morfina.
“Është shumë e pazakontë që të gjejmë këtë lloj droge në Australi e cila nuk përfshihet në përdorim për qëllime mjekësore” tha të hënën gjatë një konference për medie komandanti në detyrë i policisë federale, Anthony Hall. “Sekuestrimi i 11 kilogramëve fentanil ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin australian” shtoi ai ndër të tjera.
Sipas deklaratës për medie, më parë autoritet australiane kishin zbuluar vetëm dërgesa të vogla të fentanilit, prej 30 gramëve ose më pak, e cila në mënyre ilegale ishte importuar në vend.
Në konferencën e të hënës, komandanti i forcave kufitare James Watson theksoi rëndësinë e kapjes duke e pasur parasysh sasinë e fentanilit të zbuluar.
“Zakonisht ne zbulojmë fentanil prej 1 gram ose më pak, por të zbulosh 11 kilogram fentanil të pastër, është diçka e jashtëzakonshme”, tha Watson, duke shtuar: “Unë e shoh këtë si një akt total bastard”.
Kur u pyet se pse njoftimi u bë tash, disa muaj pasi që ishte kapur dhe identifikuar droga, Hall tha se njëra nga qëllimet kryesore ishte “paralajmërimi i komunitetit për rrezikun që shkakton fentanili”. /Telegrafi/