Site icon Telegrafi

Policia arreston 304 persona të dyshuar për lidhje me ISIS-in, publikohen pamjet e aksioneve në Turqi

Forcat turke të sigurisë kanë arrestuar 304 persona të dyshuar për lidhje me organizatën ekstremiste Shteti Islamik (ISIS), njoftoi ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya.

Operacioni me emrin e koduar “Heroes-34” u krye bashkërisht nga policia dhe njësia anti-terroriste në 32 provinca dhe numri më i madh i arrestimeve ishte në tre qytetet më të mëdha, Stamboll, Ankara dhe Izmir, deklaroi ministri përmes platformës X.

Nuk ka të dhëna për kombësinë e të arrestuarve, shkruajnë mediat turke.

Grupi militant ka kryer një sërë sulmesh vdekjeprurëse në të gjithë Turqinë në të kaluarën, duke përfshirë një sulm me armë në një klub nate të Stambollit më 1 janar të vitit 2017, ku humbën jetën 39 persona.

Nuk dihet nëse operacioni i arrestimit ishte pjesë e sigurisë së shtuar përpara festave të Vitit të Ri.

Ministria e Brendshme publikoi një video në rrjetin X që tregon imazhe të bastisjeve, duke përfshirë policinë kundër terrorizmit që thyen dyert, prangos të dyshuarit dhe i fut në automjetet e policisë. /Telegrafi/

Exit mobile version