Site icon Telegrafi

Policia arreston 25-vjeçaren në Durrës, ajo përhapte panik me lajme të rrejshme

Drejtoria e Antiterrorit e Policisë së Shtetit në Shqipëri, ka njoftuar se ka arrestuar 25-vjeçaren Xhuljana Aliaj, banuese në Durrës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.

Në njoftimin e bërë nga Policia e Shtetit thuhet se,  gjatë monitorimit të rrjeteve sociale është konstatuar se Xhuljana Aliaj, ka postuar nga profili i saj në rrjetin social “Facebook” shkrime me përmbajtje të rreme dhe jo të vërteta, duke kryer kështu përhapje të panikut nëpërmjet efekteve të këtyre lajmeve, transmeton Telegrafi.

“Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me strukturat e tjera të specializuara në Policinë e Shtetit kanë evidentuar edhe raste të tjera për të cilat në bashkëpunim me prokuroritë e rretheve përkatëse po vijon me procedimet penale dhe për çdo rast do informohet media e publiku”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Shtetit bën apel tek të gjithë qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të lajmeve që shpërndahen në rrjete sociale, të cilat krijojnë panik dhe fton qytetarët që në qoftë se hasin në të tilla njoftime paniku të njoftojë menjëherë Policinë e Shtetit në numrin 112, apo në Komisariatin Dixhital./Telegrafi/

 

 

Exit mobile version