Site icon Telegrafi

Policia apelon: Shmangeni pikën kufitare në Merdar!

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media të shtunën u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë pikat tjera alternative të hyrjes në Kosovë, për t’iu shmangur pritjeve dhe kolonave të gjata në pikën kufitare në Merdar.

Duke përkujtuar se në pikë-kalimin kufitar Merdare janë ende duke u kryer punime në ndërtimin e infrastrukturës dhe objektit të pikës kufitare, Policia e Kosovës u apelon të gjithë qytetarëve që t’iu drejtohen pikë-kalimeve tjera kufitare që e lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, si Dheu i Bardhë, Mutivodë, Jarinje etj., pasi nuk ka pritje dhe as kolona të gjata, transmeton Telegrafi.

Departamenti i Policisë Kufitare, gjatë sezonit veror do të punojë me kapacitete të shtuara të personelit policor dhe aplikimit të punës së kontrollit kufitar të përshpejtuar, me qëllim të evitimit të kolonave dhe pritjeve të gjata.

Policia shpreh përkushtimin e saj për të punuar me kapacitete dhe intensitet të shtuar në të gjitha pikë-kalimet kufitare ku vërehet se kemi rritje të fluksit. /Telegrafi/

Exit mobile version