Është parandaluar një tragjedi e madhe, kur policia angleze arriti të zbulojë zhileta dhe mjete tjera të mprehta të vendosura nëpër toboganë të fëmijëve në një park të lodrave.
Ato janë gjetur në qytetin angleze Aughton, ka njoftuar policia duke shtuar se është parandaluar një akt i tmerrshëm që ka mundur të rezultojë me shumë të lënduar, transmeton Telegrafi.
“E tmerrshme është të mendosh se çfarë do të ndodhte nëse ky plan do të kishte sukses, dhe cilat do të ishin pasojat. Nuk mund ta paramendojë që ka njerëz të tillë që duan t’i masakrojnë fëmijët në parkun e lodrave”, ka deklaruar Doren Stevenson, zyrtar i komunës së Aughton.
Policia ka paralajmëruar të gjithë qytetarët që të jenë më të kujdesshëm, kurse prindërit t’i kontrollojnë mirë lojërat para se t’i lejojnë fëmijët të luajnë apo thjesht t’i përdorin.
“Kushdo që e ka bërë këtë, do t’i shkaktonte lëndime të rënda fëmijëve. Të jeni të sigurt që po bëjmë gjithçka që t’i zbulojmë autorët e kësaj vepre të shëmtuar”, ka njoftuar policia angleze.
Autoritetet lokale kanë publikuar pamjet e mjeteve të mprehta që i kanë gjetur në parkun e lodrave, kurse komentuesit kanë filluar menjëherë të kritikojnë ashpër kryesit e kësaj vepre. /Telegrafi/