Telegrafi

Policia angazhon aktorë ta vjedhin bankën

Vetëm drejtori dhe zëvendësdrejtori i departamentit policor në Zhenzhou e kanë ditur se ishte një stërvitje, të gjithë të tjerët, përfshirë edhe punëtorët e bankës kanë menduar se është grabitje e vërtetë.

E përditshmja “Guangzhou” njofton se katër ‘grabitësit’ kanë hyrë në bankë, e kanë çarmatosur sigurimin dhe kanë kërkuar nga të gjithë njerëzit brenda të shtrihen për toke. Ata madje ia kanë marrë çantën një klienti, e cila kishte brenda 20.000 funte.

Disa nga kritikët e këtij aksioni trajnues pohojnë se policët të cilët nuk e kanë ditur se është një stërvitje, shumë lehtë kanë mundur të gjuajnë mbi personat të cilët dukeshin si grabitës.

Ata po ashtu janë shprehur të shqetësuar për efektin psikik që mund të ketë ky veprim mbi punëtorët e bankës dhe klientët, të cilët janë vënë në një situatë traumatike.

Katër ‘grabitësit’ kanë ikur në katër drejtime të ndryshme, mirëpo pas dy orësh që të katërtit janë zënë nga divizione të ndryshme policore.

“Qëllimi ka qenë që të testohet reagimi i divizioneve të ndryshme si edhe koordinimi në mes tyre”, ka thënë një zëdhënës i policisë.