Site icon Telegrafi

Policia amerikane përdorë dronë për të rritur sigurinë e pushuesve në plazhe

Ujërat më të ngrohta dhe më të pastra afër bregut në Long Island të Nju Jorkut, viteve të fundit kanë sjellë një numër në rritje të peshqive të vegjël në këtë zonë – dhe me to edhe peshqit më të mëdhenjë të cilët i hanë ata, përfshirë edhe peshkaqenët. Në një mënyrë, është shenjë e mirë për mjedisin, por është komplet diçka tjetër për notarët, surfistët dhe vizitorët e plazhave.

Zyrtarët e sigurisë në një plazh në Nju Jork kanë ngritur numrin e përdorimit të dronëve në tentimin e parandalimit të ndërveprimeve potencialisht të rrezikshme në mes njerëzve dhe peshkaqenëve.

Rojet e shpëtimit dhe oficerët e policisë së Parkut të Shtetit të Nju Jorkut në Jones Beach – një park shtetëror që shtrihet mbi 10 kilometra (6.5 milje) përgjatë bregut jugor të Long Island dhe mirëpret gjashtë milionë vizitorë në vit – po përdorin teknologjinë për të monitoruar ujërat jashtë bregut, raporton CNN, përcjell Telegrafi.

Kur ata dallojnë peshkaqenë ose aktivitet të pazakontë të jetës detare, ata mund t’i paralajmërojnë notarët në mënyrë që ata të qëndrojnë në plazh.

Programi i gjurmimit filloi në vitin 2017, por tani ka marrë hov pas një sulmi të ashpër të peshkaqenëve në plazhet e Nju Jorkut këtë verë. Ndërsa rreziku për t’u sulmuar nga një peshkaqen mbetet i ulët, vetëm këtë javë, një grua 65-vjeçare u shtrua në spital pasi u kafshua nga një peshkaqen në Rockaway Beach në Queens.

Të nesërmen, rojet e plazhit në Jones Beach ndaluan hyrjen në ujë tre herë pas pamjeve të mundshme të peshkaqenëve, dy prej të cilëve u bënë me drone.

“Nuk mund të parashikoj se nëse do të ketë më shumë kafshime ose sulme nga peshkaqenët, por ajo se çfarë mund të them është se sa më shumë dronë të ketë në ajër, aq më shumë ka gjasa që t’i shohim këto kafshë në habitatin e tyre natyral”, deklaroi në një prononcim për CNN muajin e kaluar Rishi Basdeo, kapiten i Park Police, përpara sulmit të fundit, i cili ndodhi në një plazh tjetër.

Policia e Parkut të Shtetit të Nju Jorkut operon një flotë prej 19 dronësh përgjatë Jones Beach, të përdorur nga rojet e shpëtimit me rezervë nga oficerët të cilët mund të bëjnë monitorim më të zgjeruar nëpërmjet një qendre komandimi në lëvizje që udhëton lart e poshtë plazhit nëse diçka e pazakontë është vërejtur në ujë.

Brenda furgonit të qendrës së komandës, oficerët mund të shikojnë një transmetim të drejtpërdrejtë të pamjeve të dronit në një ekran televiziv për të përcaktuar nëse notarët duhet të largohen nga uji. /Telegrafi/

Exit mobile version