Site icon Telegrafi

Policia amerikane arreston të dyshuarin për sulmin në Illinois, ku mbetën të vrarë gjashtë persona

Policia amerikane ka arrestuar një të dyshuar pasi gjashtë persona u vranë në të shtëna masive në një paradë të Ditës së Pavarësisë në Highland Park, Illinois.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Robert E Crimo III, 22 vjeç, u ndalua pas një ndjekjeje të shkurtër, tha policia.

Personi i armatosur u ngjit në një çati, derisa qëllonte kot mbi spektatorët duke përdorur një pushkë me fuqi të lartë.

Këto janë të shtënat më të fundit masive që kanë goditur SHBA-në. Presidenti amerikan Joe Biden tha se ishte “i tronditur” nga dhuna.

Disa orë më vonë, dy oficerë policie u plagosën në të shtënat në Filadelfia gjatë shfaqjes së fishekzjarrëve të 4 korrikut.

I dyshuari është quajtur Robert E Crimo III

Crimo u arrestua pas një gjuetie njerëzore. Ai u referua si një “person me interes” në të shtënat e së hënës, por pas arrestimit të tij, policia tha se besonte se ai ishte përgjegjës.

Personi i armatosur hapi zjarr në paradën, pranë qytetit të Çikagos, rreth orës 10:15 (koha lokale) vetëm pak minuta pasi filloi.

Eventi ishte planifikuar të përfshinte grupe marshimi dhe argëtim në komunitet si pjesë e festimeve të Ditës së Pavarësisë së qytetit.

Por ajo që duhet të kishte qenë një nga ditët më të lumtura të vitit u kthye shpejt në panik. Disa dëshmitarë thanë se mendonin se zhurma e armëve ishte fishekzjarre.

Personi i armatosur qëlloi mbi anëtarët e publikut nga çatia e një dyqani aty pranë, ku policia gjeti “prova të një arme zjarri”.

Pesë të rritur u vranë në vendngjarje, si dhe një viktimë tjetër për të cilën mjeku lokal tha se vdiq në një spital aty pranë. Disa të tjerë u plagosën. /Telegrafi/

Exit mobile version