Site icon Telegrafi

Polici i vrarë në Fier përcillet sot për në banesën e fundit, homazhe në teatrin Bylis

Novruz Cenaila, polici i cili u vra me një plumb në kokë teksa po shkonte të merrte shërbimin, do të përcillet sot për në banesën e fundit.

28-vjeçari Cenaila kishte vetëm një muaj që ishte martuar, por u vra pas një debati me 23-vjeçarin Azgan Mërnica për radhën e kalimit në rrugën e ngushtë të fshatit Baltëz në Fier.

Në orën 10:00, në Kinoteatrin e qytetit të Fierit do të mbahen homazhe në përkujtim të policit 28-vjeçar. Homazheve pritet t’i bashkohen edhe deputetët e Komisionit të Sigurisë.

Autori i vrasjes, Azgan Mërnica është ende në arratia. Policia ka vijuar me kërkimet, por deri më tani pa rezultat. Mbrëmjen e djeshme kontrollet u shtrinë edhe në Tepelenë dhe Gjirokastër. Dyshohet se ai synon të kalojë kufirin me Greqinë. Mërnica konsiderohet i rrezikshëm, pasi me vete dyshohet se mban armën e krimit.

Lexo po ashtu RENEA rrethon banesën e vrasësit të policit në Fier, ku dyshohet se fshihet 23-vjeçari

Mërnica ka qenë i angazhuar në Strukturën e Armatosur të PD për Mbrojtjen e Votës në 2021. Kjo faktohet lehtësisht përmes një fotoje të postuar nga deputeti i Berishës, Luan Baçi në prill të vitit 2021.

23-vjeçari vjen nga një familje me një histori të gjatë për përfshirjen në ngjarje kriminale. Sipas saj, babai i tij ka vuajtur dënimin me 20 vjet heqje lirie për vrasjen e kunatit. Njëri prej vëllezërve ndodhet aktualisht në burg, i dënuar me 19 vjet heqje lirie për një vrasje të ndodhur në 2019-n. Edhe vëllai tjetër vuan po ashtu dënimin me burg në Gjermani. Në rastin e tij mbetet e paqartë se për çfarë është dënuar.

Si u vra efektivi i ‘Shqiponjave’?

28-vjeçari Novruz Cenalia u vra me një plumb në kokë më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit. Ai ishte nisur për të shkuar në punë, por u përfshi në një debat me Azgan Mërnicën, 23 vjeç, për radhën e kalimit me makinë. Në këtë moment, 23-vjeçari nxori pistoletën që e mbante me vete dhe me një tek plumb në kokë la të vdekur në vend punonjësin e Policisë së Shtetit. Më pas ai u largua nga vendi i ngjarjes.

Exit mobile version