Telegrafi

Polici në Michigan filmohet duke nokautuar një burrë, zyrtarë të punëve të brendshme po hetojnë rastin

Një polic në Michigan është kapur nga kamerat duke grushtuar një burrë të paarmatosur, të cilin nga goditja e fuqishme e nokauton – duke mbetur viktima i shtrirë në tokë dhe pavetëdije.

Zyrtari policor i paidentifikuar ishte së bashku me pesë kolegë tjerë, duke ecur në drejtim të një burri që qëndronte në këmbë në mes të një rruge – kur në mënyrë krejtësisht të befasishme e godet, transmeton Telegrafi.

“Nuk ke të drejtë ta qëllosh ashtu”, dëgjohet dikush duke bërtitur derisa burri mbeti i shtrirë në asfalt dhe pavetëdije.

Për fat të mirë disa sekonda më vonë ai këndellet, kurse polici që e godet largohet nga vendi i ngjarjes sikur të mos kishte ndodhur asgjë e keqe.

Sipas policisë ai ishte përfshirë në një rrahje masive, dhe se ata kishin shkuar për ta vënë situatën nën kontroll.

Madje pretendojnë se ai kishte sulmuar policët – duke i detyruar të intervenojnë duke e nokautuar me vetëm një goditje.

E pas publikimit të pamjeve, polici që e godet burrin i është ndërruar pozita – duke e vënë prapa tavolinës në zyrë.

Në anën tjetër, zyrtarë të punëve të brendshme kanë bërë të ditur se po hetojnë rastin për të konstatuar nëse ishte përdorur dhunë e tepruar. /Telegrafi/