Telegrafi

Polici australian akuzohet për tentim vrasje, kapi për fyti një grua që nuk pranoi të vendos maskën në fytyrë

Disa policë të shtetit federal australian të Victorias janë nën hetime sepse dyshohet se e keqtrajtuan një grua që nuk e mbante maskën në fytyrë.

Pamjet e ngjarjes, të cilat u shfaqën në mediat sociale, tregojnë dy oficerë policie teksa i afroheshin një gruaje të re në një periferi të Collingwoodit.

Pas disa çastesh vërehet se si një polic e kap për fyti gruan dhe e shtyn drejt murit. Gruaja e re më pas bërtiti “Më mbyte!”, transmeton Telegrafi.

Atëherë i dashuri i vajzës, i cili ka filmuar gjithë ngjarjen, dëgjohet duke i thënë policisë se 21-vjeçarja është e liruar nga detyrimi për të mbajtur maskën për shkaqe mjekësore.

Por, gruaja e re më vonë pranoi se kur polici e pyeti se pse nuk e mbante maskën, ajo ishte përgjigjur vetëm duke i drejtuar gishtin e mesëm.

Ndryshe, në 24 orët e fundit, më shumë se 200 qytetarë janë gjobitur për shkelje të kufizimeve të shtetit. Nga këta, 33 persona u gjobitën për mos mbajtje të maskës. /Telegrafi/